Kriza e karburantit godet Australinë/ Rritje çmimesh dhe rrezik për mungesa
Qytetarët në Australi janë paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të çmimeve të ushqimeve dhe produkteve bazë, që pritet të ndodhë brenda javëve të ardhshme, si pasojë e një krize në rritje të karburantit dhe problemeve në zinxhirin e furnizimit, shkruan Daily Mail- transmeton IndeksOnline.
Ekspertët paralajmërojnë se që nga mesi i prillit, çmimet në supermarkete mund të rriten ndjeshëm, ndërsa në disa raste raftet mund të mbeten edhe bosh. Arsyeja kryesore është rritja e fortë e çmimeve të karburantit, e lidhur me krizën në Lindjen e Mesme.
Operatorët e transportit thonë se kostot e tyre janë rritur deri në 70%, duke krijuar presion të madh mbi bizneset dhe duke rrezikuar furnizimin normal të tregut.
Një shofer kamioni nga Queensland deklaroi se vetëm kostoja e mbushjes me karburant është rritur ndjeshëm:.
“Nga rreth 950 dollarë më pare, në rreth 1,550 dollarë për çdo furnizim së fundmi”, theksoi ai, transmeton IndeksOnline.
Ai paralajmëroi se këto kosto shtesë do të përkthehen drejtpërdrejt në çmime më të larta për konsumatorët.
“Ne transportojmë vezë, qumësht, bukë, mish dhe perime. Të gjitha do të shtrenjtohen.”
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Rrugor, disa kompani kanë filluar të ndalojnë kamionët dhe të pezullojnë aktivitetin, pasi nuk mund të përballojnë më kostot.
Disa operatorë paralajmërojnë se momenti kritik do të vijë më 21 prill, kur faturat e karburantit për muajin mars do të bëhen të qarta.
Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e produkteve bazë do të rriten, familjet do të përballen me kosto më të larta jetese nëse situata vazhdon, barra financiare do të kalojë plotësisht te konsumatorët.
Ndërprerjet në furnizimin me naften nga Lindja e Mesme, për shkak të mbylljes së ngushticës së Hormuzit, pritet të ndikojnë edhe te fermerët.
Sipas përfaqësuesve të sektorit produktet e qumështit do të shtrenjtohen të parat, më pas do të rriten çmimet e frutave dhe perimeve .
Ndërkohë, kompani të mëdha si Coles, Ëoolëorths, Aldi, McDonald’s dhe Amazon po përballen me presion për të mbuluar kostot në rritje të transportit.
Sindikatat dhe operatorët e transportit kanë kërkuar që kostot e karburantit t’u kalohen klientëve të mëdhenj, të rishikohen kontratat për të reflektuar realitetin e ri ekonomik.
Qeveria australiane ka njoftuar ndryshime ligjore për të përshpejtuar vendimet emergjente mbi zinxhirët e furnizimit.
Ndryshimet synojnë heqjen e periudhës aktuale 6-mujore të pritjes, mundësimin e rritjes së tarifave të transportit më shpejt, mbështetjen e operatorëve për të përballuar kostot në rritje.
Australia po përballet me një krizë të mundshme ekonomike në sektorin e furnizimit, ku rritja e çmimeve të karburantit rrezikon të shkaktojë rritje të çmimeve, mungesa produktesh dhe mbyllje biznesesh brenda pak javësh./IndeksOnline/

