Kriza ekonomike, projekti që të kursen xhepin gjatë dimrit

“Termokos” është në një fazë shumë të rëndësishme zhvillimi. Projekti i fundit “Prishtina Heat Save”, është një tjetër projekt po i jep dimension tjetër energjisë termike.
“Prishtina Heat Save” është projekt që synon modernizimin e sistemit të faturimit dhe matjes së shpenzimeve të ngrohjes nga “Termokos”.
Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka-Fejzullahu për Indeksonline tregon se, vendosja e valulave termostatike, termokokave dhe matësve të energjisë termike nëpër radiatorët e gjithë konsumatorëve planifikohet të përfundojë deri në sezonin e ardhshëm ngrohës.

“Projekti “Prishtina Heat Save” apo projekti për vendosjen valvolave termostatike, termokokave dhe alokatorëve (matësve) të energjisë në trupat ngrohës të gjithë konsumatorëve tanë, që është financuar nga Qeveria amerikane nëpërmes MCC-së është në proces të realizimit.
Deri më tani, këto pajisje janë vendosur në banesat e 4.703 konsumatorëve tanë. Instalimi i tyre është duke vazhduar nëpër të gjitha lagjet, ku ne ofrojmë shërbimin e ngrohjes, ndërsa deri në sezonin e ardhshëm ngrohës këto pajisje planifikohet të instalohen tek të gjithë konsumatorët tanë”, thekson ajo për Indeksonline.
Uka-Fejzullahu thotë se falë këtij projekti do të mundësohet kursimi i energjisë termike e kështu edhe kursimi i buxhetit familjar.
“Ky projekt do të mundësojë ndryshimin e mënyrës së faturimit nga ajo me m/2 në kalkulimin sipas konsumit, gjë që nëkupton se konsumatorët do të kenë mundësinë për kontrollin e plotë të shpenzimeve të tyre për ngrohje. Kjo metodë e re faturimi krahas kursimit të buxhetit familjar të konsumatorëve tanë, njëkohësisht do të krijojë mundësi edhe për kursimin e energjisë termike, e cila me projektet e ardhshme do të mundësojë përfshirjen në rrjetin e ngrohjes të konsumatorëve tjerë të rinjë”, bën të ditur ajo.
Ndryshe, konsumatorët kanë mirëpritur realizimin e “Prishtina Heat Save”, ku përveç kontrollimit të temperaturës në banesat e tyre do t’iu mundësohet edhe kontrolli i shpenzimeve për ngrohje./Indeksonline/
