75 Mall Live Search
13:45 / E Shtunë, 15 Nëntor 2025 / A

Kriza me pagat në RTK, Osmani letër Bashës: Të formohen urgjentisht komisionet parlamentare, partitë të gjejnë kompromis

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e mbi 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar me një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, lidhur me çështjen e pagave të punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Në letër, Osmani njofton se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re të Kuvendit.Sipas Ligjit Nr. 08/L-332 për vitin 2025, vetëm ky komision ka kompetencën për të miratuar alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në. Mungesa e këtij komisioni ka bllokuar procedimin e fondeve, duke krijuar një situatë të rëndë sociale për familjet e punëtorëve.

Për këtë arsye, Presidentja bën thirrje që grupet parlamentare të gjejnë kompromis dhe të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të siguruar pagesat dhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit.Ajo kërkon që deputetët të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm për të shmangur vonesa të mëtejshme në këtë proces jetik.