Kriza me refugjatët në kufirin me Bjellorusinë: Emigrantët po instrumentalizohen

Shqipëria dhe disa shtete e kanë qortuar Bjellorusinë se po e acaron krizën me emigrantët duke i shtyrë ata te fqinjët baltikë dhe drejt Polonisë.
Me një deklaratë të përbashkët pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesi i Estonisë fajësoi Bjellorusinë se me këtë taktikë po cenon stabilitetin rajonal
“Ne, anëtarët aktualë të Bashkimit Europian në Këshillin e Sigurimit, bashkë me Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë, e dënojmë instrumentalizimin e orkestruar të qenieve njerëzore, jeta dhe mirëqenia e të cilëve po rrezikohet për qëllime politike, për të destabilizuar shtetet fqinje dhe kufijtë e jashtëm të BE, dhe për të hequr vëmendjen nga shkelja e të drejtave të njeriut në Bjellorusi.”
Liderët europianë e kanë akuzuar Minskun se po merr emigrantë nga vendet e varfra dhe në luftë, nga Lindja e Mesme dhe Afrika, dhe po i shtyn në kufijtë e Polonisë, Lituaninë dhe Letonisë në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve kundër regjimit bjellorus.
Disa shtete perëndimore pretendojnë se përgjegjësi për situatën ka edhe Rusia.
“Sigurisht, tani Bashkimi Europian po luan lojën ‘kush e ka fajin’. Nuk habitemi. Jemi mësuar se slogani i politikës europiane dhe perëndimore aktualisht është ‘Ruani qetësinë dhe fajësoni Rusinë’,” tha ambasadori rus në OKB.
Disa qindra emigrantë po tentojnë prej muajsh të kalojnë nga Bjellorusia por ditët e fundit janë zmbrapsur në kufi.
Shtetet baltike anëtare në BE paralajmëruar të enjten se gjendja mund të çojë drejt një konflikti ushtarak.
Ndërkohë, udhëheqësi bjellorus, Aleksandër Lukashenko, kërcënoi Europën se mund t’i presë furnizimin me gaz po vazhdoi ta kërcënojë me izolim dhe me mbyllje kufijsh me jashtë.