Kriza me Venezuelën, Borrell: Shqetësim për të ardhmen e vendit, por edhe për Europën

Autoritetet e Venezuelës njoftuan se kanë arrestuar tre shtetas amerikanë, dy spanjollë dhe një shtetas çek, të dyshuar për komplot për të destabilizuar vendin.
Ministri i Brendshëm Diosdado Cabello theksoi se qindra armë ishin konfiskuar dhe se të arrestuarit po përgatisnin komplot për të vrarë presidentin Nicolas Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Deklarata këto që janë hedhur poshtë nga SHBA dhe CIA.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell. Ky i fundit e ka cilësuar qeverinë e presidentit venezuelian një “diktaturë”.
Borrell kujtoi kohën kur edhe u zhvilluan zgjedhjet duke thënë se mbi 2000 njerëz në Venezuelë u arrestuan, pas këtyre zgjedhjeve. Dhe gjithashtu kreu i opozitës u detyrua të arratisej.
“Partitë politike janë subjekt i mijëra kufizimeve në aktivitetet e tyre”, tha Borrell.
Ndërkohë kujtojmë se një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, të udhëhequr nga SHBA, nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut në Venezuelë, pas të cilave u shpall fitorja e Maduros.