75 Mall Live Search
17:58 / E Enjte, 27 Janar 2022 / MSH

Kriza në Ukrainë: ShBA paralajmëron mundësinë e anulimit të gazsjellësit Nord Stream 2

ShBA ka kërcënuar se do të ndalojë hapjen e një tubacioni kyç që do të lidhë gazin rus me Evropën Perëndimore, nëse Rusia pushton Ukrainën.

Nord Stream 2 do të kalonte nga Rusia në Gjermani dhe të enjten zyrtarët në Berlin thanë se projekti mund të përballet me sanksione nëse Rusia sulmon, shkruan BBC.

Aleatët perëndimorë thonë se do të synojnë ekonominë e Rusisë nëse ajo pushton dhe komentet e fundit sinjalizojnë një ngurtësim të qëndrimit të tyre ndaj tubacionit fitimprurës.

Në anën tjetër, Rusia mohon se po planifikon një sulm.

Por grumbullimi i dhjetëra mijëra trupave ruse në kufijtë e Ukrainës në javët e fundit ka nxitur tensionet dhe ka përshkallëzuar frikën e një pushtimi.

“Dua të jem shumë i qartë: nëse Rusia pushton Ukrainën në një mënyrë ose në një tjetër, Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara”, tha për NPR zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price.

Por ai shtoi se mbetet në pyetje nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin fuqinë për ta anuluar projektin.

“Ne do të punojmë me Gjermaninë për të siguruar që ajo të mos ecë përpara”, tha Price.

Ndërsa ShBA këmbënguli se do të ndalonte plotësisht hapjen e gazsjellësit, Gjermania vetëm tha se nuk do të përjashtonte vendosjen e sanksioneve ndaj projektit.