17:27 / E Enjte, 24 Shkurt 2022 / MSH

Kriza në Ukrainë, Vettel bojkoton garën në Rusi

Ylli i Formula 1, Sebastian Vettel, ka bojkotuar pjesëmarrjen e tij në garën e Formula 1, e cila planifikohej të mbahej në shtator.

Kjo për shkak të zhvillimeve të fundit mes shtetit rus dhe Ukrainës.

“U zgjova me lajmet e mëngjesit i tronditur. Unë mendoj se është e tmerrshme të shohësh se çfarë po ndodh. Natyrisht, nëse shikoni kalendarin, ne kemi një garë të planifikuar në Rusi (më 25 shtator)” ka thënë Vettel.

Ai ka shtuar se mendon se është e gabueshme të garosh në Rusi, teksa ka shprehur keqardhje për të gjithë ata që kanë humbur jetën në këtë konflikt.

“Mendimi im është që nuk duhet të shkoj, nuk do të shkoj. Unë mendoj se është e gabuar të garosh në këtë vend. Më vjen keq për njerëzit e pafajshëm që po humbasin jetën e tyre, që po vriten për arsye të kota nga një udhëheqje shumë e çuditshme dhe e çmendur. Por personalisht jam i tronditur dhe i trishtuar kur shoh se çfarë po ndodh, kështu që do të shohim të ecim përpara, por mendoj se vendimi im është marrë tashmë”, ka deklaruar gjermani.