Kriza në Veri, si e sheh zgjidhjen më të mirë për Kosovën analisti Baraliu

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, në një intervistë për IndeksOnline ka folur për situatën e fundit të krijuar në Veri të Mitrovicës, për zgjedhjet e prillit, si dhe insistimin për asosacionin.
Baraliu tha se Moska dhe Beogradi janë të interesuara që të krijojnë destabilizim në Ballkan, më saktësisht në pjesën veriore.
Ai ndër tjerash tha se dialogu dhe procesi i Berlinit duhet të përshpejtohet dhe jo të ketë vetëm deklarime.
“Do duhej që në procesin e Berlinit dhe në procesin e dialogut, çështjet të përshpejtohen, procesi i Berlinit të mos mbetet si deri më tash. Edhe në kohën e Merkel-it dhe të Scholz, kishte vetëm deklarime por duhet të veprohet edhe me mjete financiare dhe më aktivitete politike, të koordinuara mirë, në mënyrë të lejohet mundësi në Ballkan dhe në Kosovë që të veprojnë forcat destruktive siç po veprojnë, jo vetëm në atë pjesë, por në të gjithë Kosovën dhe Ballkanin”, ka thënë ai.
Baraliu foli edhe për zgjedhjet e mundshme të prillit. Sipas tij e gjitha varet prej goditjeve të Beogradit dhe Moskës për një luftë hibride dhe prej ecurisë së procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që pritet në mars të 2023 të këtë epilog.
“Në qoftë se rrumbullakohen të gjitha çështjet që duhet të trajtohen në mes të Kosovës dhe Serbisë ku janë çështje të hapura në marrëdhëniet mes dy shteteve sovrane dhe problemet e tyre, atëherë do të duheshin të mbahen zgjedhjet”, vijojë Baraliu.
Ai tha se varet prej shumë faktorëve por sipas tij duhet të shpresojmë që dialogu dhe procesi i Berlinit të jenë dy katalizatorë ku gjerat do t’i venë në binarë.
Njohësi, Mazllum Baraliu, për fund foli edhe për insistimin e qeverisë për t’i mbajtur zgjedhjet. Ai tha se ky insistim është legjitim dhe obligativ.
Intervistën mund ta gjeni më poshtë: