Kroacia do të shtojë forcat ushtarake në Kosovë
Përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë kanë hyrë në fazën përfundimtare, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare në selinë e Aleancës në Bruksel.
Samiti pritet të jetë një tjetër përballje mes kërkesave të SHBA-së dhe angazhimeve të aleatëve evropianë, veçanërisht për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës.
Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të ushtrojë presion ndaj aleatëve evropianë, të cilët sipas tij nuk kanë përmbushur objektivat për rritjen e investimeve në mbrojtje. Në fokus do të jetë edhe mënyra se si Evropa do të kompensojë reduktimin e mundshëm të pranisë ushtarake amerikane në kontinent.
Ndërsa burime diplomatike të huaja bëjnë të ditur jozyrtarisht se disa aleatë evropianë kanë nisur tashmë diskutimet se si mund të kontribuojnë në mbushjen e boshllëkut që do të krijohej pas një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga Evropa, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, në një deklaratë për gazetarët të enjten në Bruksel la të kuptohet se Kroacia po ofron rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë.
Kjo vjen pasi komandanti suprem i NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, njoftoi se po shqyrtohet ulja e numrit të trupave të KFOR-it, shkruan vecernji.hr.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se kontingjenti në Kosovë mund të reduktohet nga rreth 4700 ushtarë aktualisht në rreth 3000–3500, nivel i ngjashëm me periudhën para vitit 2023.
Ndërkohë, ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.
“Pritet që aleatët të angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, deklaroi Hegseth, duke paralajmëruar se SHBA do të vëzhgojë nga afër vendet që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s.
Ai tha gjithashtu se disa aleatë do të dështojnë në këtë “test të ri amerikan”, ndërsa të tjerë do ta kalojnë me sukses, duke theksuar se Uashingtoni pret një rol më të madh nga partnerët evropianë në mbrojtjen e përbashkët.

