75 Mall Live Search
14:28 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / S Z

Kroacia nuk do t’i thërrasë për shërbim ushtarak shtetasit me dy shtetësi që jetojnë jashtë vendit

Kroacia nuk do të lëshojë thirrje për shërbim të detyrueshëm ushtarak për qytetarët kroatë me shtetësi të dyfishtë që banojnë në vende të tjera, si Serbia, Mali i Zi ose Bosnjë e Hercegovina, dhe nuk do të fillojë procedura kundërvajtëse kundër tyre nëse nuk e kryejnë shërbimin e tyre ushtarak, tha Ministria kroate e Mbrojtjes për Betën.

Ministria kroate tha se thirrjet për trajnim bazë ushtarak do t’u lëshohen ekskluzivisht qytetarëve që jetojnë në Kroaci ose që kanë regjistruar vendbanimin në atë vend.

“Në përputhje me Ligjin e mbrojtjes, të cilin Parlamenti kroat e votoi më 24 tetor, personat me shtetësi të dyfishtë mund të kryejnë shërbimin e tyre ushtarak në Republikën e Kroacisë sipas ligjit kroat ose në vendin ku jetojnë sipas ligjeve të vendit ku jetojnë. Ne i ftojmë kroatët që jetojnë jashtë vendit të paraqiten në një mision diplomatik ose konsullor dhe kështu të rregullojnë shërbimin e tyre ushtarak”, tha Ministria kroate e Mbrojtjes për Betën.

“Nëse ndonjëri prej tyre dëshiron të vijë në Republikën e Kroacisë, është më se i mirëpritur”, tha ministria, duke shtuar se “nëse kroatët me shtetësi të dyfishtë e kanë rregulluar shërbimin e tyre ushtarak në vendin ku jetojnë, atëherë ata nuk e kanë këtë detyrim në Republikën e Kroacisë”.

Parlamenti kroat miratoi së fundmi ndryshimet në ligj që lejojnë rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga fillimi i vitit 2026. Me këtë rast, çështja e detyrimeve të qytetarëve kroatë me shtetësi të dyfishtë dhe vendbanim jashtë Kroacisë është ngritur në publik, veçanërisht në aspektin e dënimit të mundshëm.

“Nëse dikush nuk i përgjigjet thirrjes, kryhet një procedurë kundërvajtjeje, por ekskluzivisht në territorin e Republikës së Kroacisë, sepse Republika e Kroacisë nuk mund ta zbatojë legjislacionin e saj jashtë kufijve të shtetit të saj”, iu përgjigj Ministria kroate e Kroacisë Beta-s.

Nëse një kroat me shtetësi të dyfishtë vendos të jetojë në Kroaci dhe të mbajë shtetësinë e një vendi tjetër, ai, siç theksohet, do të duhet ta rregullojë shërbimin e tij ushtarak sipas ligjeve të Republikës së Kroacisë.

Pas ndryshimeve në ligj, pritet që ftesat e para për stërvitje ushtarake të fillojnë të mbërrijnë në fund të këtij viti dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq pret ushtarët e parë në vitin e ri.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të zgjasë dy muaj dhe do të jetë i detyrueshëm për të rinjtë meshkuj në vitin kalendarik në të cilin mbushin 19 vjeç, duke filluar nga viti 2007, me mundësinë e shtyrjes së tij, me arsye të caktuara, deri në moshën 30 vjeç. Ata që i përgjigjen stërvitjes ushtarake do të paguhen 1,100 euro neto në muaj për këtë, dhe shërbimi i tyre ushtarak do të kryhet në kazermat në Knin, Pozhega dhe Slunj.

Mundësia e shërbimit civil është parashikuar edhe për ata që do të apelojnë kundërshtimin e ndërgjegjes për arsye fetare ose morale.

Shërbimi civil do të zgjasë tre ose katër muaj, por ende nuk dihet nëse dhe sa kompensim do të paguhet për të.

Gratë përjashtohen nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por mund të regjistrohen vullnetarisht.

Në vitin 2008, Kroacia pezulloi shërbimin ushtarak dhe që atëherë ai është shërbyer vetëm vullnetarisht, por me pak interes.