KRU Prishtina “godet” njësitë e lidhura ilegalisht në ujësjellës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka realizuar inspektime kundër keqpërdoruesve të ujit.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se vetëm në zonën e Veternikut, sot janë realizuar 5 shkyçje të lidhjeve ilegale, raporton IndeksOnline.
Zëdhënësja e KRU-së, Arjeta Mjeku, deklaroi për IndeksOnline se në orët e paradites vepruan në Bernicë, ku identifikuan dhe shkyçen 10 lidhje ilegale.
Teksa Kompania ka qenë duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, e njëjta deklaron se nuk do të tolerojë keqpërdorimet e tilla.
Mjeku thotë se duke filluar nga kjo fundjavë e deri më 1 shtator, do të punojnë edhe të shtunave e të dielave me orar të zgjatur, pasi ka shumë raste të keqpërdorimit dhe vjedhjes së ujit, në zonat si Veterniku, Hajvalia, Bardhoshi dhe Bernica.
“Inspektimet do të vazhdojnë deri në ora 23:00 dhe do të përfshijnë: bizneset dhe gastronominë, zonat më të frekuentuara të Prishtinës.
Qëllimi ynë është të parandalojmë keqpërdorimet, të mbrojmë rrjetin e ujësjellësit dhe të garantojmë furnizim të rregullt dhe të drejtë për të gjithë qytetarët” deklaroi Mjeku./IndeksOnline/