11:46 / E Mërkurë, 28 Shtator 2022 / A. M.

Kryeinspektori i pezulluar, Topalli: S’kam njoftim, jam në pushim mjekësor, është shkelje ligjore!

Ylber Topalli është pezulluar nga detyra e kryeinspektorit të inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.  Ky vendim, sipas MD-së, është marrë mbi bazën e gjetjeve në Raportin që ndërlidhet me rastin e Astrit Deharit.

Indeksonline ka kontaktuar Topallin, i cili e vlerësoi si shkelje ligjore vendimin ndaj ti.

“… jam në pushim mjekësor prej të hënës nuk kam dit kurgjo. S’kam as njoftim as kurgjo hiq.  Është vendim i pabazë. Unë e di çka kam punu unë dhe çka bëj unë. Është marrë vendim nga një Komision ilegjitim i formuar nga Ministria. Ata janë inspektorë të mi, paramendoni inspektorët e mi me inspektu punën e kryeinspektorit, është shkelja e parë ligjore”, u shpreh ai.

Ndryshe, ministria e udhëhequr nga Albulena Haxhiu, përmes një njoftimi për media, ka thënë se procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.

“Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë”. /Indeksonline/