19:16 / E Martë, 16 Gusht 2022 / OSH

Kryekuzhinieri i botës, Nusreti, mëson fëmijët kosovarë si ta kryposin mishin

Disa fëmijë kosovarë patën një eksperiencë të rrallë jetësore, të hënën mbrëma, gjatë një darke të pushimeve verore në ishullin Mykonos në Greqi. Ata u bënë, për pak momente, asistentë të kuzhinierit mishaxhi ndër më të mirë në botë, turkut Nusret Gokce.

Ky i fundit, po bënte punën e tij spektakolare me specialitetet e veta, në lokalin ku rastisën të jenë edhe fëmijët kosovarë. Siç bën në shumë raste, Nysret ftoi fëmijët t’i bashkohen, në përgatitjen e shujtave me ushqimet, mbase më të mira të mishit në botë.

Ndër të parët që turku gjigand i kuzhinës thiri t’i “ndihmojnë” ishin vogëlushët kosovarë. Këta nuk përtuan fare dhe e shijuan maksimalisht mundësinë e ofruar, duke hedhur, me stil prej “chef”-ave të rinj, kripë mbi mishin në të cilin Nusret po bënte art ushqimor.

Këtë ndihmë që Nysretit ua ofroi kosovarëve të rinj, patën mundësi ta shohin edhe 47 milionë njerëz, pasi turku e ndau këtë “bashkëpunim” edhe për miqtë e tij në Instagram, të cilët, siç u tha, janë 47 milionë në këtë rrjet social.

Nusret Gokce njihet si njëri prej kuzhinierëve më të mirë të mishit në botë. Ai ka gatuar për dhe bashkë me shumë njerëz të famshëm të globit duke përfshirë futbollistët Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e David Beckham si dhe aktorin Leonardo DiCaprio, mes tjerëve.

Nusret 39-vjeçar mori famë globale më 2017, kur postoi në internet një video me mënyrën se si po e përgatiste një steak otoman (osman), e cila mëpastaj u bë virale. Ai ka restorantet e veta në shumë pjesë të botës, përfshirë Anglinë, Amerikën, Turqinë, Katarin e Dubain, përfshirë këtë në Mykonos, ku rastisi ta takojë e të ndihmohet edhe nga disa fëmijë kosovarë.