Kryeministri britanik: Britania po bashkëpunon me aleatët për të frenuar Iranin që të ketë armë bërthamore
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar po punon ngushtë me aleatët për të penguar Iranin të zhvillojë armët bërthamore.
Në një intervistë për BBC News, ai theksoi se synimi kryesor është që Teherani të mos arrijë kurrë të ketë armë bërthamore dhe se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Kur u pyet nëse do të mbështeste sulme të mundshme amerikane kundër Iranit, Starmer u përgjigj se Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht këtë qëllim dhe po bisedon me aleatët për mënyrat se si mund të arrihet.
Ai gjithashtu dënoi ashpër sjelljen e autoriteteve iraniane ndaj protestuesve, pas konfirmimit zyrtar se të paktën 5,000 persona janë vrarë gjatë protestave të mëdha në të gjithë vendin.
Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ushtria e SHBA-së është e gatshme të zbatojë çdo vendim që merr presidenti Donald Trump lidhur me Iranin, për të parandaluar që Teherani të vijojë më tej zhvillimin e kapaciteteve bërthamore.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ku Trump i kërkoi Hegsethit të komentonte situatën, ai tha:
“Ata nuk duhet të rrisin kapacitetet bërthamore. Ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo që ky president pret nga Departamenti i Luftës (War Department).”
Zyrtarë amerikanë theksuan se Trump po shqyrton opsionet, por ende nuk ka vendosur nëse do të godasë Iranin.
Tensionet SHBA-Iran u rritën pas shtypjes së përgjakshme të protestave në të gjithë Iranin nga autoritetet klerikale në javët e fundit. Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestuesit, megjithatë demonstratat në mbarë vendin, të nxitura nga vështirësitë ekonomike dhe shtypja politike, tashmë janë qetësuar.

