17:22 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Kryeministri Haradinaj: Goranët meritojnë ta kenë Komunën e tyre

​Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka qëndruar sot në Dragash ku me këtë rast ka përkujtuar se Republika e Kosovës ka Kushtetutën e saj më të avancuar dhe më moderne, e cila qartë përcakton të drejtat e secilit komunitet që jeton në Kosovë, edhe të Komunitetit Goran.

“Si Kryeministër i vendit, përtej asaj që është shkruar, jam angazhuar që Qeveria që drejtoj të jetë e përfaqësuar nga secili komunitet, që ata të jenë të ngarkuar me detyra, për të realizuar kërkesat dhe përmirësuar jetën e secilit qytetarë”, kështu tha Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në shënimin e Ditës së Goranëve në Brod te Dragashit.

Haradinaj tha poashtu  se simbolika e kësaj feste është e ngjashme me plotë rajone të tjera të vendit, pra është e njëjta traditë.

“Kemi biseduar për mënyrën e jetesës për temat se çka mund të bëjë qeveria nacionale. Kjo është iniciativë e deputetit të nderuar Adem Hoxha, që është deputet goran në parlamentin e Kosovës dhe kam ardhur këtu me propozimin e deputetit që të informohem për gjendjen dhe proceset këtu” tha Haradinaj, transmeton Indeksonline.

I pari i Qeverise para banorëve të Brodit e Dragashit tha se krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku, “përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, theksoi Kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq deputeti nga radhët e komunitetit goran Adem Hoxha e falënderoi Kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme, derisa shpjegoi para të pranishmëve mënyrën e festimit të kësaj dite.

Dita e Goranëve është festë që simbolizonin bashkimin, harmoninë dhe mirëqenien. Në këtë manifestim u tha se kjo festë është edhe dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës.

Gjatë vizitës në Brod ta Dragashit Kryeministri Haradinaj bashkëbisedoi me qytetarë të shumtë të kësaj ane, thuhet në komunikatë për media./Indeksonline/