15:16 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Kryeministri Haradinaj urohet nga presidentja e Konfederatës Zvicerane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë urim për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë, nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard

Në urim thuhet:

Shkëlqesia juaj,

Me rastin e emërimit tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë të përcjell tek ju urimet e mia të sinqerta. Në emër të Këshillit Federal të Zvicrës, dëshiroj t’ju uroj sukses në këtë pozitë të shquar, si dhe të ju dëshiroj prosperitet për vendin tuaj si dhe mirëqenie personale.

Zvicra dhe Kosova kanë marrëdhënie të ngushta, të karakterizuara me lidhje domethënëse njerëzore dhe kulturore. Komuniteti i madh kosovar që jeton në Zvicër ka pasur rolin e  urës lidhëse, duke forcuar mirëkuptimin tonë të përbashkët dhe duke kontribuar në prosperitetin e të dyja vendeve. Stabiliteti dhe zhvillimi i Kosovës është një shtyllë tjetër e rëndësishme e marrëdhënieve tona bilaterale.

Zvicra mbetet e angazhuar për të vazhduar misionin e saj në mbështetje të paqes duke marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Kosovës (KFOR). Në aspektin civil, Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit rajonal dhe evropian që nga viti 1998 dhe do të vazhdojë të bëj këtë edhe në të ardhmen.

Siç theksuat pas marrjes së detyrës, Kosovën e presin reforma të rëndësishme. Nga zbatimi i këtyre reformave do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe kjo do të kontribuojë në prosperitet dhe stabilitet jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin në tërësi.

Bazuar në këtë, unë jam e bindur se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona do të vazhdojnë të zhvillohen në të ardhmen.

Ju lutem, Shkëlqesia juaj, pranoni konsideratat e mia më të larta.
Doris Leuthard /AktivPress