Kryeministri Hoti, ka udhëtuar dje për në Bruksel

Kryeministri Hoti ka udhëtuar dje për në Bruksel, me ç’rast nesër nisin bisedimet me Serbinë. Deri tani Zyra për informim e Kryeministrisë nuk ka njoftuar se shefi i Qeverisë ka udhëtuar për në kryeqytetin evropian. Këtë e ka bërë shefi i EULEX-it, i cili e ka parë Hotin në aeroplan.
Përmes një postimi në Twitter, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka lavdëruar Hotin që ka udhëtuar në klasën ekonomike e jo në atë të biznesit.
“Ia heqim kapelat kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili sot udhëtoi me ne në klasën ekonomike në Aeroplanin Prishtinë – Vjenë dhe më pas në aeroplanin nga Vjena në Bruksel. Sa kryeministra të tjerë të Ballkanit Perëndimor do t’i kursenin të hollat e taksapaguesve në këtë mënyrë?”, ka shkruar Wigemark.

Pas dy diskutimeve në distancë, të enjten pritet të takohen për herë të parë, kokë më kokë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në tentim të arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, pas rreth 20 muajsh vonesë, në kryeqendrën evropiane do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.