Kryeministri Hoti kërkon masa urgjente ndaj zyrtarëve policorë, që e keqpërdorin detyrën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në një takim drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe kryeshefin ekzektuiv të Inspektoratit të Policisë së Kosovës z. Kushtrim Hodaj.
Kryeministri Hoti nga Mehmeti dhe Hodaj kërkoi që menjëherë, të marrin të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo zyrtari policor, i cili keqpërdor detyrën, duke theksuar se këto sjellje janë të papranueshme.
Kryeministri Hoti kërkoi nga Inspektorati Policor të trajtojë me shumë përkushtim të gjitha ankesat e qytetarëve, që vijnë në adresë të policisë, të jenë këmbëngulës dhe të pakompromis në respektimin e etikës dhe sjelljes profesionale të policisë.
Hoti, theksoi se nuk duhet lejuar që rastet e izoluara të dëmtojnë imazhin e Policisë së Kosovës, institucionit më të besuar nga qytetarët për vite me radhë.