75 Mall Live Search
13:52 / E Mërkurë, 17 Qershor 2020 / indeksADMonline

Kryeministri Hoti priti ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barishiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në një takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq. Me të ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve tona dhe aktualitetin politik.

Kryeministri Hoti e ka njoftuar ambasadoren Barishiq për zhvillimet politike në vend, prioritetet e Qeverisë, menaxhimin e situatës së krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike, procesin e dialogut dhe situatën e përgjithshme në vend.

Me këtë rast, kryeministri Hoti e ka falënderuar ambasadoren Barishiq dhe Kroacinë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy vendeve mike, duke thënë se Kroacia është shembull i mirë që duhet ndjekur në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

“Është në interesin e dy qeverive si vende mike, Kosovës dhe Kroacisë, vazhdimi dhe thellimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit reciprok”, tha kryeministri Hoti duke vlerësuar rolin e Kroacisë në kryesimin e Bashkimit Evropian.