Kryeministri Hoti rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot, u mbajt konferenca me temë: “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë, në mënyrë që viktimat ta ndiejnë mbështetjen e shtetit të tyre”, tha kryeministri Hoti.
Ai inkurajoi të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin që u takon. Ndërsa, në po të njëjtën kohë i bëri thirrje gjithë shoqërisë sonë që të mbështesin këtë proces, sepse turpi bie mbi kryesit e këtij krimi e jo mbi viktimat.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të kryeministrit Hoti në këtë konferencë:
Faleminderit shumë znj. Begaj, kryetare e komisionit,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim,
E nderuara presidente Jahjaga,
Të nderuar ministra Reçica dhe Selimi,
Zëvendësambasador, deputete Haxhiu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përfaqësues të organizatave të ndryshme që jeni prezent dhe të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës, që jeni prezent në këtë tryezë
Ju falënderoj të gjithëve edhe njëherë për prezencën në emër të Qeverisë, për të dëshmuar mbështetjen tonë të përbashkët për këtë pjesë të shoqërisë, e cila për më shumë se 20 vjet vazhdon të na preokupojë të gjithë neve pa përjashtim për dhimbjen që kanë pasur, të shkaktuar nga dhuna seksuale e ushtruar gjatë luftës nga ana e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë.
Kjo dhunë pa dyshim është plagë e rëndë për të gjithë ne, për shoqërinë e Kosovës, e cila ka mbetur ende pa u trajtuar si duhet dhe pa u trajtuar plotësisht. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës meritojnë mbështetjen e plotë tonën, të familjes, të shoqërisë dhe të gjitha institucioneve relevante.
Sot, ne si shtet dhe si shoqëri jemi të përkushtuar për të njohur dhunën dhe vuajtjet e viktimave seksuale gjatë luftës dhe mbi të gjitha për të siguruar drejtësi për këto viktima.
Unë dua të siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre.
Ne tanimë kemi vendosur strukturën e nevojshme institucionale me emërimin e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës dhe me emërimin e sekretarisë, e cila mbështet punën e komisionit dhe gjithashtu kemi ofruar mbështetje punën e tyre duke ofruar edhe mbështetjen e nevojshme buxhetore për kompletimin e të gjitha aktiviteteve të parapara nga komisioni.
Sigurisht, bazuar në ligjin përkatës, komisioni e ka bërë një punë të madhe deri tashti që nga themelimi më 28.04.2017, kur është përcaktuar edhe shuma që përfitojnë viktimat që ju njihet ky status. Jemi të vetëdijshëm që kjo shumë nuk është e mjaftueshme, duke marrë parasysh vuajtjet e tyre, por besoj që është një dëshmi që shteti i Kosovës ua njeh këto vuajtje dhe i respekton këto viktima.
Unë gjej rastin të falënderoj organizatat vendore dhe ndërkombëtare pa përjashtim për mbështetjen e këtij procesi shumë të ndishëm, shumë delikat, edhe për institucionet, edhe për personat e përfshirë.
E kuptoj që procesi i njohjes dhe i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është i vështirë, duke marrë parasysh kohën e cila ka kaluar deri më tani, por unë besoj shumë në përkushtimin e anëtarëve të komisionit dhe gjithë mekanizmave të tjerë të përfshirë në këtë proces, në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.
Ne kemi nevojë si shoqëri që të shërojmë këtë plagë, duke u përballur me këtë, duke mos harruar asnjëherë për atë që ka ndodhur. Besoj thellë që kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajos për të demaskuar dhunuesit dhe për të ditur të vërtetën, si edhe për ta bërë të njohur këtë të vërtetë para botës së civilizuar.
Unë sot i ftoj të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që ta mbështetë këtë proces, sepse turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer këto krime.
Ju faleminderit!