75 Mall Live Search
16:55 / E Enjte, 16 Tetor 2025 / Z S

Kryeministri i Francës fiton votëbesimin pak ditë pasi u riemërua

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, u mbijetoi të enjten dy mocioneve të votëbesimit, vetëm disa ditë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij qeveritar dhe e kishte bërë një lëshim të rëndësishëm politik për të qëndruar në pushtet.

Votëbesimi pasoi vendimin e Lecornut të martën për ta mbështetur pezullimin e reformës së vitit 2023 për pensionet, në përpjekje për ta mbajtur kabinetin e tij mjaftueshëm gjatë për ta miratuar një buxhet kursimesh deri në fund të vitit.

Partia Socialiste (PS) e krahut të majtë kishte kërcënuar se do të votonte për rrëzimin e kryeministrit nëse ai nuk do të pranonte ta pezullonte reformën, sipas të cilës, mosha e pensionimit do të zgjerohej nga 62 në 64 vjeç.

Pa mbështetjen e PS-së, dy mocione të ndara të paraqitura të enjten nga partia e majtë ekstreme, Franca e Panënshtruar,dhe ajo e djathtë ekstreme, Tubimi Kombëtar, nuk arritën numrin e votave të nevojshme për ta rrëzuar Lecornun.

Pas votimit, Lecornu tha se është i gatshëm ta “fillojë punën” për bisedimet buxhetore, që pritet të fillojnë në Parlament javën e ardhshme.

“Mund ta shihni se sa serioze është situata… Debatet duhej të fillonin”, tha kreu i Qeverisë për BFMTV.

Por, lideri socialist Olivier Faure paralajmëroi se partia e tij mund ta mbështesë përsëri një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Nëse Qeveria nuk i përmbush angazhimet e saj, veçanërisht për pezullimin e reformës së pensioneve, ne do të votojmë menjëherë kundër kabinetit”, tha Faure në X.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, është futur në një paralizë politike qëkurse presidenti Emmanuel Macron shpalli zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, me synimin për të konsoliduar pushtetin e tij.

Por, zgjedhjet rezultuan me një Parlament të bllokuar dhe me rritje për të djathtën ekstreme.

Lecornu, kryeministri i shtatë i emëruar nga Macroni prej vitit 2017, tani duhet ta udhëheqë një buxhet kursimesh përmes një Parlamenti thellësisht të ndarë deri në fund të vitit.

Lecornu, i cili u bë kryeministër muajin e kaluar, dha dorëheqjen të hënën e kaluar pas kritikave ndaj kabinetit të tij të parë.

Por, ai u riemërua disa ditë më vonë dhe e formoi një kabinet të ri qeveritar në kohë për ta paraqitur projektbuxhetin në Parlament.

E përballur me trysni nga Bashkimi Evropian për ta ulur deficitin dhe borxhin e vendit, Franca ballafaqohet me një betejë të vështirë për masat shtrënguese që rrëzuan dy paraardhësit e Lecornut.

Raporti borxh/PBB i Francës është i treti më i larti në Bashkimin Evropian pas Greqisë dhe Italisë dhe afërsisht dyfishi i kufirit të BE-së prej 60 për qind.

Lecornu është zotuar se nuk do ta përdorë një mjet kushtetues që është përdorur për të kaluar çdo buxhet pa votë që nga viti 2022, dhe ka premtuar se të gjitha ligjet do t’i nënshtrohen debatit.

“Qeveria do të bëjë propozime, ne do të debatojmë dhe ju do të votoni”, theksoi 39-vjeçari, i cili është besnik i Macronit, në një fjalim para deputetëve të martën.

Por, opozita ka sfiduar optimizmin e tij.

Liderja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, akuzoi deputetët se i dhanë Lecornut një mundësi “për shkak të frikës nga zgjedhjet”, duke thënë se ajo “me padurim” po pret shpërndarjen e Parlamentit.

E djathta ekstreme e sheh këtë si shansin e saj më të mirë deri tani për ta marrë pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, kur përfundon mandati i dytë dhe i fundit i Macronit./Indeksonline/