75 Mall Live Search
13:51 / E Mërkurë, 18 Shkurt 2026 / H F

Kryeministri Kurti forcon aleancën/ Bashkëpunim strategjik Kosovë–Mbretëria e Bashkuar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti anëtarin e Dhomës së Lordëve, Lord Cromwell, dhe deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers.

Lord Cromwell dhe Martin Vickers uruan kryeministrin Kurti dhe popullin e Kosovës për 18-vjetorin e pavarësisë, të shënuar dje, si edhe e përgëzuan për mandatin e tij të ri qeverisës.

Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dhe te mundësitë që Kosova ofron për investime dhe investitorë të huaj. Po ashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe siguria në rajon dhe në kontinent.

Kryeministri i falënderoi për vizitën dhe urimet, si edhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu mirënjohje për rolin historik dhe kontributin e çmueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin, pavarësimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.

Gjatë bisedës, kryeministri theksoi prioritetet e qeverisë, veçanërisht projektet e mëdha infrastrukturore të parapara për këtë mandat të ri, investimet kapitale që do të tejkalojnë vlerën prej 1 miliard euro në vit, si investimet në siguri dhe mbrojtje.