23:07 / E Premte, 01 Prill 2022 / MSH

Kryeministri Kurti merr pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes gjermano-kosovare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ndërmarrjes së sapo themeluar gjermano-kosovare, që shënon edhe suksesin e parë të themelimit të parkut gjerman të biznesit, në fushën e inxhinierisë mekanike në Kosovë. KICK Engineering & Manufacturing Kosova Sh.P.K, është ndërmarrja e parë gjermano-kosovare e KD Business Development në Kosovë.

Ai para të pranishmëve tha se investimet e tilla, bashkë me institucionet demokratike dhe qeverisjen e mirë, e bëjnë Kosovën atraktive për investitorët e huaj dhe krijojnë një mjedis miqësor për biznese. Për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se qeveria tashmë ka nisur një seri të reformave strukturore në sistemin e drejtësisë dhe administratë publike.

Ai veçoi rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale e cila, siç u shpreh kryeministri Kurti, pritet do të funksionalizohet brenda dy muajve të ardhshëm e që do të rrisë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Më tej shtoi se sektori privat është shtylla kryesore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, e që të dy këto janë komponentë kryesore të platformës qeverisëse.

Duke i falënderuar investitorët, ai i siguroi se Qeveria e Republikës së Kosovës është këtu për t’i mbështetur ata në realizimin e qëllimeve të përbashkëta.  ​