20:12 / E Premte, 18 Qershor 2021 / OSH

Kryeministri Kurti takohet me Kancelarin Kurz, vitin e ardhshëm do të ketë një samit biznesi mes Kosovës dhe Austrisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas Samitit të Vjenës është takuar me kancelarin austriak, Sebastian Kurz.

Kurti në postimin e tij tha se vitin e ardhshëm Kosova dhe Austria do ta kenë një samit të përbashkët biznesi, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:  

Pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, më priti në takim Kancelari i Austrisë, z. Sebastian Kurz, në zyren e tij. Fillimisht e falenderova Kancelarin Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë, qysh prej pranimit të studentëve dhe diplomave në vitet e ‘90-ta deri te mbështetja në menaxhimin e pandemisë Covid-19. Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane. Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri.