13:18 / E Premte, 30 Gusht 2019 / indeksADMonline

Kryeministri në detyrë Haradinaj: Është fat i madh që Dogana vazhdon të jetë institucion kredibil dhe që mbron shtetin e Kosovës

“Jam thellë i bindur se kushdo që hyn në Kosovë kur ju takon juve fiton respekt për vendin dhe popullin tonë, përmes juve dhe ju falënderojmë për prezantimin e parë që i bëni Kosovës, për punën e mirë që e bëni jo vetëm duke siguruar se Kosova ka të hyrat që i takojnë në bazë të ligjit përmes qarkullimit të mallrave, hyrjes së mallrave në Kosovë, por edhe duke mbrojtur Kosovën nga të gjitha rreziqet që i kanosen në kufij”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20- vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se dogana është partnere e gjithë afaristëve, sipërmarrësve, ekonomisë së vendit, sepse i mundëson atyre qarkullim të shpejtë të mallrave dhe të të mirave të tyre.

Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ka sfida, por duhet të jemi më të saktë në punë, të jemi ambicioz, të punohet më shumë dhe të bëhet kujdes i duhur që me të gjithë ata që punojmë, të na besojnë.
“Është fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë të besueshme, duke filluar nga ushtria, institucionet e rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, dogana dhe institucionet tjera që kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend. Mund të bëjnë më shumë në të ardhmen dhe ju ftoj që të jemi bashkë në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se i gëzohet faktit që dogana është anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, punohet me standarde të avancuara dhe se premtimi i tij për 100% Kosovë është i vërtetë dhe jo vetëm në këtë periudhë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se Dogana gjatë këtyre 20 vjetëve ka treguar rezultate në misionin e vet dhe vlerësohet si një nga institucionet me vlerat më të larta organizative dhe që nga themelimi ka qenë ndër kontribuuesit kryesor në mbledhjen e të hyrave.
“Dogana, deri më sot, ka arritur që për buxhetin të shtetit të mbledhë rreth 13 miliardë euro, shumë e rëndësishme për forcimin e shtetit”, tha Berisha, duke shtuar se misioni i saj është edhe luftimi i krimeve transkufitare, kontrabandës, ekonomisë joformale, etj.

Në shënimin e 20-vjetorit të Doganës së Kosovës, pjesëmarrës ishin përfaqësues të shumtë të institucioneve nga vendi dhe bota.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë, Haradinaj në 20- vjetorin të themelimit të Doganës së Kosovës

I nderuari ministër Hamza,
Ministre Hoxhiq,
I nderuari kryetar i kryeqytetit z. Ahmeti,
Të nderuar kolegë të institucioneve vendore, Gjeneral Rama, Drejtor Rashit Qalaj, Drejtor Shpend Maxhuni,
I nderuari Gjeneral Harrison,
Të nderuar oficerë të Doganës të gjithë ju, ish- drejtor,
E veçanërisht i zoti i shtëpisë drejtor i Doganave, z. Bahri Berisha,

Mirë se ju gjej në 20-vjetorin e themelimit të Doganave të Kosovës. Urime ditëlindja juaj, pra, urime përvjetori!

Njëkohësisht, ka shumë për të thënë, po shumë bukur po dukeni. Kur hyra, ishte kënaqësi me ju pa. Një qëndrim i mirë, një prezencë e mirë, një porosi e mirë. Jam thellë i bindur se kushdo qe hyn në vendin tim në Kosovë, kur ju takon ju, fiton respekt për këtë vend, për këtë popull për të gjithë ne, përmes juve. Ju falënderojmë për këtë paraqitje, prezantim të parë që i bëni Kosovës, njëkohësisht për punën e mirë që bëni që jo vetëm me siguru që Kosova i ka të hyrat që i takojnë në bazë të ligjit, përmes qarkullimit, përmes hyrjes së mallrave në Kosovë, por me mbrojt Kosovën, nga të gjitha rreziqet që i kanosen në kufij dhe ju bëni një punë të mrekullueshme për këtë, dhe në të njëjtën kohë jeni partner, pra, dogana është partnere e gjithë afaristëve, e gjithë sipërmarrësve, e gjithë ekonomisë së vendit, qytetarëve të vendit, sepse u mundësoni atyre në bazë të drejtave që i kanë që ua garanton ligji një qarkullim të shpejtë të mallrave dhe të të mirave të tyre dhe të gjitha ato punë që i kryejnë.

A kemi sfida? Po, gjithqysh kemi. Duhet të jemi edhe më të saktë në punë, të jemi edhe më ambicioz, të punojmë më shumë dhe të bëjmë çdo herë kujdesin e duhur që me të gjithë ata që punojmë, të na besojnë.

Fat i madh që institucionet e sigurisë në Kosovë janë jashtëzakonisht të besueshme, kanë besimin më të lartë të mundshëm, duke filluar nga ushtria jonë që ka një besim shumë të lartë, pastaj institucionet tjera të rendit dhe ligjit, policia, inteligjenca, por edhe dogana dhe institucionet tjera që po ashtu kanë mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend.

Mund të bëjnë shumë më shumë në të ardhmen dhe ju ftoj të jemi bashkë në këtë drejtim.

Është mirë që ju nuk keni zgjedhje dhe mos frikësoheni sepse ju shoh pak të trembur, por meqë e keni ditëlindjen, gëzohuni, sepse unë vërtet i gëzohem ditëlindjes tuaj. I gëzohem faktit që doganat tona janë anëtare të Organizatës Botërore të Doganave, dhe punoni në këto standarde kaq të avancuara.

Unë ju them edhe juve se njëmend e kam për 100% Kosovë, nuk janë vetëm fjalë dhe jo vetëm në këtë periudhë.

Gjithmonë do të jemi bashkë me gjithë ata që qëndrojnë për 100% Kosovë.