11:00 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

Kryeministri për akreditimet: Po e shohim çfarë mafie janë

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka kritikuar edhe një herë vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e disa universiteteve publike.

“Kjo o gabim, edhe në këtë Kosovë nuk punohet kështu. Kanë me na kritiku, ama po e shohim çfarë mafie janë. Po vërejtjet për cilësi ama nuk  mundemi me i lon fëmijët jashtë”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për medie.

Ai shton se Kosova asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me akreditimet pa konsultim të palës britanike.

“Asnjë bord nuk e bojmë pa anglez. Deri tash asnjë vendim nuk e kemi bo pa ta. Askush nuk është i mandatum me prek Kosovën. Sovrani është pronar i këtij vendi, nuk jemi të zgjedhurit të sotëm. Gabim e kanë ata që besojnë se Kosova është e prekshme”, deklaron Haradinaj.

“Për kriteret e akreditimet e programeve ata janë profesionistë dhe i dinë. Por për mua është e papranueshme që maturantët e këtyre vendeve të mbesin pa u regjistruar në fakultet. Nëse dikush ka menduar se mund ta bëjë këtë që të lejë fëmijët e varfër ose gjysmë të varfër jashtë universitetit, ka gabuar. Këta që po më thonë se je ngutur, unë po them që jam vonuar. Kushdo që e ka bërë këtë gabim është. Po vërejtjet për cilësi, për kritere, por nuk mund të lejojmë që nxënësit të mbesin jashtë”, është shprehur ai.