Kryeministri polak thotë se Rusia po kryen gjenocid në Ukrainë

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka thënë se zbulimi i trupave të civilëve të vrarë në Bucha dhe Irpin duhet të klasifikohet si gjenocid.
Gjatë ditës së djeshme autoritetet ukrainase zbuluan trupat e rreth 300 njerëzve në Bucha dhe Irpin, pas tërheqjes së forcave ruse.
Pothuajse të gjithë këta civilë të vdekur i kishin duart e lidhura pas shpine.
Morawiecki thotë se kjo që po bën Putin është “e keqe e dukshme” dhe se Moska mund të ndalet vetëm nëse vazhdon të sanksionohet nga ndërkombëtarët.
Njëjtë si Këshilli Evropian, edhe Polonia deklaron se mbështet krijimin e një komisioni ndërkombëtar që do të hetojë krimet e luftës të kryera në Ukrainë.
Kryeministri polak u ka bërë thirrje shteteve të BE-së që të konfiskojnë pasurinë e oligarkëve rusë dhe të heqë dorë nga varësia prej energjisë dhe naftës ruse.
Polonia është treguar shteti më zemërgjerë për Ukrainën, që kur kjo e fundit u sulmua nga Rusia.
Në Poloni janë strehuar rreth 2.5 milionë ukrainas.