Kryeministri Rama: Shqipëria ka përmbushur të gjitha pikat e Planit të Rritjes

Në një takimi të mbajtur në Shkup, ku ishin të pranishëm liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, ka theksuar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë zhvillimin e rajonit përmes Planit të Rritjes, duke theksuar se ky proces është i orientuar drejt qytetarëve dhe përmirësimit të kushteve të jetesës.
Kos u shpreh se progresi është i dukshëm dhe përgëzoi Shqipërinë për hapjen e tre grupkapitujve gjatë gjashtë muajve të fundit, duke i dhënë një vlerësim të veçantë kryeministrit Edi Rama për rolin dhe kontributin e tij.
Ajo nënvizoi se, nëse ky angazhim vazhdon me të njëjtin ritëm, mund të hapen të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Kos theksoi se procesi i zgjerimit ka për qëllim integrimin gradual dhe se nuk mund të ketë një Evropë të bashkuar pa përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Në përgjigje, Kryeministri Edi Rama vlerësoi përparimin e Shqipërisë në realizimin e objektivave të përmbushjes së kushteve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi është shumë afër realizimit të aspiratës për të qenë pjesë e BE-së.
“Ne jemi shumë krenarë, sepse deri tani kemi përmbushur të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore. Plani i Rritjes është shumë i qartë. Ne duhet të përmbushim detyrat, sikurse ata. Ky është një instrument shtesë që ka të bëjë me atë që është quajtur integrimi gradual. Kjo po ndodh. Shqipëria po punon shumë mirë,” u shpreh Rama për mediet.