09:32 / E Premte, 29 Shtator 2023 / mp

Kryeministri suedez e thërret në takim komandantin e ushtrisë pas eskalimit të vrasjeve

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, e ka ftuar në takim komandantin e ushtrisë suedeze, Gjeneral Micael Byden, që forcat e armatosura të ofrojnë ndihmë për ta trajtuar rritjen e numrit të vrasjeve nga bandat.

Kjo masë erdhi pas tri vrasjeve brenda disa orëve. Dy burra u qëlluan për vdekje në Stokholm dhe një grua 25-vjeçare u vra nga një shpërthim në shtëpi në një qytezë në veri të kryeqytetit suedez, raporton televizioni BBC.

“Ne do t’i gjejmë bandat dhe do t’i mposhtim ato”– premtoi kryeministri suedez në një adresim të rrallë në televizion.

Komandanti i ushtrisë i tha gazetës suedeze, “Dagens Nyheter”, se ai ishte i përgatitur për t’i përkrahur përpjekjet e policisë.

Nuk është e qartë saktësisht se si mund të përfshihet ushtria në këtë mision, por bisedimet e kaluara lënë të kuptohet se ushtarët mund të marrin përsipër detyra të caktuara të policisë për t’u lënë hapësirë policëve që të kenë më shumë burime për luftimin e krimit.

Disa kritikë i kanë përshkruar si sipërfaqësore masat e propozuara, duke argumentuar se ato i trajtojnë simptomat e jo shkaqet rrënjësore të dhunës.

Deri më tani këtë muaj, 12 persona janë vrarë nga dhuna e bandave – numri më i lartë që nga dhjetori i vitit 2019, sipas gazetës “Dagens Nyheter”.

Mediat suedeze e kanë lidhur shtimin e vrasjeve me një konflikt ku përfshihet banda e njohur si rrjeti “Foxtrot”, që është përfshirë nga luftimet dhe ndarja në dy grupe rivale.

Kryeministri Kristersson tha se Suedia nuk ka parë diçka të tillë më parë dhe se asnjë shtet tjetër në Evropë nuk është duke u ballafaquar me këtë lloj të situatës.

Vitin e kaluar, më shumë se 60 persona vdiqën nga të shtënat në Suedi – numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë – dhe ky vit pritet të jetë në nivelin e njëjtë ose edhe më keq.

Të enjten, kryeministri tha se do t’i çojë përpara masat shtesë, përfshirë shtimin e vëzhgimit, ndëshkimet më të ashpra për shkeljen e ligjeve për armët, kompetencat më të fuqishme për dëbim nga vendi dhe zonat për ndalje dhe kontroll, duke shtuar se ka marrë mësim nga kryetari i Nju-Jorkut pas një vizite në qytetin amerikan javën e kaluar.