Kryeministri, u premton policëve pagë shtesë dhe shujtë

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, deklaroi se situata në vend është ashtu siç e ka gjetur, pasi ai ka vetëm tre muaj detyrë.
Madje ai tha se s’kanë fare të drejtë të kritikojnë lidhur me çështjen e pagesave për Policinë e Kosovës, pasi kur erdhi në pozitë të kryeministrit policët ishin duke u paguar me 390 euro pagë bazë.
“Unë i kam tre muaj si kryeministër, i pyesni policët kur unë kam qenë tre vjet ministër i Financave se si kanë kalu, por ju çdo gjë dëshironi t’i ktheni me çështje ballafaqimi. Këtu jam do të ballafaqohemi për të gjitha, i kemi nxjerrë policët 12 orë gjatë kohës së pandemisë, sepse është dashur. Shkoni krenoheni se numrat s’janë rritur meqenëse njerëzit atëherë ishin mbyllur, me policë te dera e kritikoni Qeverinë tani që ka bërë gjithçka me ardh këtu ku jemi, ku situata është nën kontroll. Orët shtesë dhe shtesat rrezikshmërisë paguhen me pagat e shtatorit, shujtën jemi duke bërë përgatitjen nuk e dimë ende sa, por në tetor do të paguajmë për të gjithë policët që iu kërkua të qëndronin nga 12 orë në detyrë”, tha Hoti, shkruan Indeksonline.
Ai gjithashtu shtoi se sa i përket sigurimit shëndetësor për pjesëtarët e policisë dhe pensionimin e përkohshëm, beson se deri në fund të vitit do të përfundojnë dhe do të zgjidhet një herë e përgjithmonë kjo situatë.
“Pajtohem dhe ndaj shqetësimin e njëjtë, porse ka pasur mundësi që të kryhej edhe më herët, ne tashti me ministrin dhe drejtorin e policisë e kemi taku sindikatën i kemi evidentu orët shtesë edhe të vitit të kaluar që nuk janë paguar ende jemi dakorduar që ta paguajmë tashti. Po bisedojmë për shujtën, sigurimin dhe pensionimi i parakohshëm”, shtoi Hoti.
Kurse deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila sot hapi këtë temë diskutimi në Kuvendin e Kosovës, pas deklarimit të Hotit tha se duhet që në mënyrë retroaktive policëve t’u jepen pagesat gjatë gjithë kohës së pandemisë.
“S’do të doja të shihja policinë në protestë, apo diçka tjetër”, tha ajo.
Musliu po ashtu tha se duhet miratuar kërkesat e policisë, për pagat dhe shujtat ushqimore pasi sipas saj ata janë duke punuar në kushte të rënda./Indeksonline/