75 Mall Live Search
12:54 / E Premte, 13 Nëntor 2020 / A. A

Kryeministri Zaev e priti Maqedoninë në Bllacë: Kështu fitohet kur bëhen bashkë maqedonas, shqiptarë e turq

Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut, për herë të parë në historinë e saj arriti kualifikimin në kampionatin Evropian, pasi mposhti Gjeorgjinë 1-0 në finalen e playoffit në Tbilisi.

Aeroplani që barti ekipin maqedonas, u detyrua të ateronte në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, pasi në Shkup e pati të pamundur për shkak të mjegullës së dendur, shkruan Indeksonline.

Në orët e para të mëngjesit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, doli për ta pritur ekipin në kufi me Kosovën, përkatësisht në Bllacë.

“Gëzimi që sonte e kaploi tërë vendin tonë është i madh. Këtë gëzim e sollën heronjtë tanë të futbollit të cilët lanë zemrat e tyre i lanë në fushë në Tbilisi dhe sollën një fitore që historia e vendit nuk e mban mend deri më tani, me të cilën ekipi kombëtar i futbollit të vendit do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Futbollit.

I tërë shteti, të gjithë qytetarët e vendit e ndajnë gëzimin për suksesin e reprezentacionit të futbollit. Një gol për të gjithë, një fitore për të gjithë. Kështu është kur bashkë luajnë maqedonas, shqiptarë, turq…me fanella të njëjta, nën flamurin e njëjtë dhe për atdheun e përbashkët. Kjo tregon se vetëm bashkë, mund të jemi një për të gjithë dhe të gjithë për një” deklaroi Zaev.

Zaev i premtoi secilit futbollist nga 10 mijë euro shpërblim për suksesin e arritur. /Indeksonline/