18:57 / E Mërkurë, 24 Nëntor 2021 / LB

Kryeministrja e parë grua e Suedisë jep dorëheqje disa orë pas marrjes së detyrës

Kryeministrja e parë grua e Suedisë ka dhënë dorëheqje vetëm disa orë pasi u emërua në këtë post.

Magdalena Andersson u shpall si udhëheqëse të mërkurën, por dha dorëheqje pasi partneri i saj i koalicionit u largua nga qeveria dhe buxheti i saj nuk kaloi në parlament.

Në vend të kësaj, parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga opozita, i cili përfshin të djathtën ekstreme kundër emigrantëve, raporton bbc.

“Unë i kam thënë kryeparlamentarit që dëshiroj të jap dorëheqje”, tha para gazetarëve Andersson.

Ajo shtoi se shpresonte të bëhej sërish kryeministre, por që qeverinë ta udhëheq vetëm një parti.

“Ekziston një praktikë kushtetuese që një qeveri koalicioni duhet të japë dorëheqje kur një parti tërhiqet”, tha socialdemokratja duke shtuar se “Nuk dua të drejtoj një qeveri, legjitimiteti i së cilës do të vihet në dyshim”.

Theksojmë se Andersson u zgjodh kryeministre gjatë ditës së sotme, sepse sipas ligjit suedez, asaj i nevojitej vetëm shumica e deputetëve për të mos votuar kundër saj.