Kryeminstri polak akuzon BE-në për shantazh

Kryeminstri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka akuzuar Bashkimin Evropian për shantazh mbi sundimin e ligjit.
Këto akuza, Morawiecki i ka ngritur gjatë një debati të nxehtë me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Përplasja në Parlamentin Evropian vjen pas një vendimi të lartë të gjykatës polake që hodhi poshtë pjesët kryesore të ligjit të BE-së, raporton BBC, transmeton IndeksOnline.
Lidhur me këto akuza, von der Leyen është përgjigjur se do të parandalojë Poloninë në minimin e vlerave të BE-së.
Mosmarrëveshja e fundit ka të bëjë me një vendim të paparë dhe të diskutueshëm nga Gjykata Kushtetuese e Polonisë, që në fakt hedh poshtë parimin thelbësor që ligji i BE-së ka përparësi mbi legjislacionin kombëtar.
Gjatë takimit të sotëm, von der Leyen i tha Parlamentit Evropian se Komisioni Evropian po vlerësonte me kujdes këtë gjykim.
Ajo tha se situata duhej zgjidhur.
“Ky vendim vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian. Është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian”, ishte shprehur von der Leyen.
Në fjalimin e tij, Morawiecki tha se Polonia “po sulmohej” nga udhëheqësit e BE-së dhe se ishte e papranueshme të flitet për ndëshkime financiare.
“Shantazhi nuk duhet të jetë një metodë e politikës” tha Morawiecki nga partia konservatore-nacionaliste polake.
Ai shtoi se traktatet e BE-së nuk duhet të kërcënojnë kushtetutën e një shteti anëtar, i cili përshkruan ligjet dhe parimet që specifikojnë se si duhet të qeveriset një vend.
E gjithë situata është acaruar për shkak të vendimit të gjykatës, i cili ngre shqetësimet se Polonia mund të dalë nga Bashkimi Evropian në të ashtuquajturin Polexit.
Kjo do t’a bënte Poloninë shtetin e dytë që tërhiqet nga BE, pas Mbretërisë së Bashkuar.