Kryeparlamentari Basha: Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë i Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, në ceremoninë e mbrëmshme të organizuar nga ambasada hungareze në Prishtinë, për shënimin e Ditës Kombëtare të Hungarisë, tha se ky shtet e ka dëshmuar se është “mik i vërtetë” i Kosovës.
Në adreimin e tij para të pranishmëve, Basha tha se në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, shpreh mirënjohjen për “miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur” që Hungaria i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Nga njohja e Pavarësisë sonë, tek mbështetja në arenën ndërkombëtare, e deri te programi Stipendium Hungaricum përmes të cilit mbi 100 studentë tanë janë ndihmuar drejtpërdrejt të hapin horizontet e botës akademike në tërë botën, Hungaria e ka dëshmuar se është shtet mik i vërtetë dhe partner i qëndrueshëm i vendit tonë”, tha Basha.
Në fjalën e tij, Basha vlerësoi gjithashtu “guximin dhe qëndresën e popullit hungarez për liri, që, ashtu si e kaluara e popullit tonë, mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, tha ai.