Kryeprokurori i Prishtinës për vrasjen në “Aktash”: Janë marrë kamerat e sigurisë, po i përpunojmë videoincizimet

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka dhënë detaje lidhur me të shtënat me armë zjarri që ndodhën mbrëmjen e 1 shtatorit midis familjeve Sekiraqa dhe Gashi (të njohur si Capat), ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën.
Kryeprokurori Gashi në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë marrë disa kamera tek rrugët e vendit të ngjarjes dhe se janë në fazë të përpunimit të videoincizimeve.
“Mbi bazën e tyre (videoincizimeve) jemi duke bërë përpjekje për të identifikuar që nëse personat që ne i kemi të ndaluar janë duke vrapuar në këtë rast apo është edhe ndonjë person tjetër që ne nuk e kemi brenda të arrestuar”, u shpreh Gashi.
Kryeprokurori i Prishtinës shtoi se janë në fazën fillestare të hetimeve, teksa tha se në momentin që do të identifikohet ndonjë person tjetër i përfshirë në rast do të ndërmerren veprime për arrestim.
“Pesë i kemi të identifikuar deri tashti dhe që të njëjtët janë të ndaluar”, tregoi ai.
Gashi, tha se nuk ka pasur bastisje të tjera, përveç bastisjeve që janë bërë mbrëmjen e së dielës.
Këto bastisje, kryeprokurori kishte konfirmuar një ditë më parë për “Betimi për Drejtësi” se janë kryer në 5-6 lokacione por që nuk ishte gjetur diçka, shkaku se sipas tij, të dyshuarit ishin të përgatitur.