Kryeprokurori Rexha nuk deklarohet mbi ndërprerjen e numërimit të votave
Kryeprokurori Njazi Rexha, i shoqëruar nga pjesëtarë të policisë dhe zyrtarë të tjerë të prokurorisë kanë lëshuar ambientet e Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë, duke mos dashur të deklarohet për media në lidhje me ndërprerjen e procesit të numërimit të votave.
Aty pranë objektit janë dëgjuar thirrjet “Hajnat në burg” të një grupi të qytetarëve të mbledhur, të cilëve më herët iu kërkua nga policia të shpërndaheshin.
Partia Demokratike e Kosovës më herët ka akuzuar Vetëvendosjen për manipulim të fletëvotimeve dhe ndërrim të numrave serikë me ato të vendvotimeve, por edhe ndërrimin e vendvotimeve me vendvotime të tjera, si dhe vulosjen nga dy herë të fletëvotimeve.
Ndërkohë që prokurori i rastit Shpëtim Peci ka insistuar në vazhdimin e procesit të numërimit, PDK-ja me partnerët e koalicionit janë shprehur kategorikë kundër duke kërkuar respektimin e ligjit.
Në qendrën komunale të numërimit të votave ndërkohë janë mbyllur kutitë me fletëvotime që kanë mbetur të hapura, ndërsa kutitë me fletëvotime të dyshuara janë vendosur në një rresht të veçantë.
KQZ ka sqaruar se bëhet fjalë për një gabim teknik në fletëvotime dhe se kanë kërkuar sqarim nga kompania që ka bërë shtypjen e fletëvotimeve.

