Kryeprokurori tregon motivin e vrasjes në Prishtinë
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Dardani, që më pas vrau edhe veten, ka pasur probleme të mëhershme mendore.
Ai ka treguar se në momentin kritik, brenda banesës ka qenë edhe një fëmijë dy vjeçar i cili ka shpëtuar pa pasojë por vetëm se e ka parë krimin duke ndodhur.
Beka ka theksuar se i dyshuari në fjalë edhe më herët ka ushtruar dhunë në familje dhe kjo vrasje mund të ketë ndodhur si pasojë e ndonjë zënke familjare.

“Motivi ende nuk dihet, mirëpo sigurisht ngjarja ka ndodhur pas ndonjë zënkë familjare. Djali i të dyshuarit nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodhur vrasja”.
“I dyshuari ka pasur probleme psikike të mëhershme. Si duket i njëjti paska ushtruar dhunë edhe më herët në familje. I dyshuari me inicialet H.K., është kryesi i veprës i cili më pas ka kryer edhe vetëvrasje. Gruaja e të dyshuarit që u vra është me inicialet H.K., si dhe reja e tij është me inicialet R.K”.
“Një fëmijë dy vjeçar ka qenë në vendin e ngjarjes. Djali ka shpëtuar pa pasoja mirëpo e ka parë krimin kur ka ndodhur. Fëmijën e ka marrë emergjenca për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, ka thënë Beka për klankosova.
Për këtë ngjarje tragjike ka folur edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
“Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten”, ka thënë Kelani.
Ai tha se personi i gjinisë mashkullore që dyshohet se ka kryer krimin është i lindur në vitin 1958, gruaja e tij e lindur në vitin 1959 ndërsa reja e lindur në vitin 1991. /Indeksonline/