Kryeqyteti jep kontratën për veshmbathje të stafit në kujdesin parësor shëndetësor
Komuna e Prishtinës ka dhënë kontratë në vlerë prej 109 mijë e 765 euro për furnizim me veshmbathje për nevojat e kujdesit parësor shëndetësor (KPSH), përkatësisht për personelin e QKMF-së dhe QMF-ve në kryeqytet.
Vlera e parashikuar e kontratës kishte qenë 110 mijë euro, ndërsa kontrata është dhënë për 109 mijë e 765 euro, raporton IndeksOnline.
Kontrata i është dhënë operatorit ekonomik “Sodex Group SH.P.K.” me seli në Prishtinë, ndërsa sipas dokumentit zyrtar, në këtë tender është pranuar vetëm një ofertë.
Bëhet e ditur se marrëveshja është kontratë kornizë me kohëzgjatje prej 24 muajsh dhe furnizimi do të realizohet për nevojat e institucioneve të kujdesit parësor shëndetësor në kryeqytet.
Komuna kishte publikuar fillimisht njoftimin për kontratë më 25 mars, ndërsa gjatë procedurës janë bërë edhe dy korrigjime të njoftimit.

