75 Mall Live Search
13:27 / E Mërkurë, 29 Janar 2025 / mp

Kryeqyteti synon zgjerimin e “Termokosit”, përfitojnë 32 mijë qytetarë në pesë lagje të Prishtinës

Kryeshefi i N.P “Termokos”, Fisnik Osmani, së bashku me kryetarin e Komunës së Prishtinës Përparim Rama dhe nënkryetarin Alban Zogaj, kanë shpallur tenderin për projektin “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”, Loti 1 – Impianti i Ngrohjes Qendrore, raporton Ekonomia Online.

Përmes realizimit të këtij projekti, u tha se do të ketë mundësi të ofrohen shërbime për 32 mijë qytetarë të Prishtinës në pesë lagje: Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve.

“Solar4Kosovo” është projekti i vetëm i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madhi në Evropë për nga madhësia. Ai do të prodhojë energji të pastër termike me një kapacitet prej 50 MW, përmes paneleve solare termike me sipërfaqe 63,000 m² dhe një rezervuari për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet 380,000 m³”, thuhet në njoftim.

“Përfitimet për Prishtinën në aspektin mjedisor do të jenë të mëdha, duke e vendosur kryeqytetin në hartën botërore të qyteteve të gjelbra. Ky projekt do të mundësojë një kursim prej 44,000 tonë CO₂ në vit.

Ftesë për aplikim

Aplikantët e interesuar janë të ftuar të paraqesin aplikimet e tyre. Parakualifikimi përfshin prokurimin e një impianti solar të ngrohjes qendrore, i cili përbëhet nga:

Një rezervuar sezonal për ruajtjen e energjisë termike të ujit (PTES)

Një fushë kolektorësh termikë diellorë (SCF)

Projekti do të realizohet në përputhje me kushtet e kontratës për ndërtimin e Impiantit dhe Projektimin (FIDIC – Libri i Verdhë). Koha e parashikuar për përfundimin është 30 muaj, plus një fazë 6-mujore e komisionimit.

Si të aplikoni?

Dokumentet e parakualifikimit mund të kërkohen nga agjenti i tenderit në këtë adresë emaili: s4k_lot1@ic-group.org.

Projekti financohet nga: KfW, EBRD, EU, WBIF dhe kontributi nacional.