75 Mall Live Search
12:05 / E Martë, 29 Korrik 2025 / Z S

Kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale 2025.

“Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, thuhet në mesazhin informues të kryesuesit të KQZ-së.

Në emër të KQZ-së, Radoniqi ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke thënë: “Pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”.

Afati për regjistrimin e votuesve jashë Kosovës ka filluar më 23 korrik dhe do të pëfundojë më 29 gusht 2025. Vetëm shtetasite Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.

Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.