75 Mall Live Search
18:21 / E Mërkurë, 30 Qershor 2021 / AR

Kryeshefi i KPM-së dërgohet në paraburgim, dyshohet për këto vepra penale

Indeksonline ka raportuar ekskluzivisht për arrestimin e kryeshefit të KPM-së, Luan Latifit.

Burime të Indeksonline mësojnë se ai është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “marrje e ryshfeti” në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B.

Me këto veprime i dyshuari i potencuar dyshohet se kryer veprën penale “marrje e ryshfetit” dhe veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Po ashtu të njëjtat burime konfirmojnë se Luan Latifi është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.

Me vendim të prokurorit kujdestar, Luan Latifi është dërguar në paraburgim për 48 orë.

Ndryshe, sot Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, më 29.06.2021, ka ndaluar personin me inicialet A.B., drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dyshimeve fillestare, personi i lartcekur dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej tetë mijë euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

I dyshuari, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.​/Indeksonline/