19:52 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Kryesia e LDK-së kërkon mobilizim më të madh partiak në Zvicër

Në kuadër të takimeve me Degët e LDK-së të dielën u mbajt takimi me Strukturat e Degës se LDK-së në Zvicër.

Të pranishëm në këtë takim ishin Ismet Beqiri, Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së,  Muharrem Sfarqa anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe Salih Morina koordinator i LDK-së për Zvicër.

Në takimin e udhëhequr nga Kryetari i Degës Arif Baftiu u bisedua për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së  Ismet Beqiri përcjelli përshëndetjet e Kryetarit Isa Mustafa.

Beqiri theksoi se Degët e LDK-së në mërgim, veçmas kjo e Zvicrës ka dhënë kontribut të madh për mbijetesën, rezistencën, lirinë, pavarësinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

“Mërgimtaret tonë, Dega jonë në këtë rast në Zvicër kanë qenë shtyllë dhe përkrahëse e fuqishme për punën e madhe të Presidentit Historik Ibrahim Rugova në bërjen e shtetit. Presidenti çdoherë ka vlerësuar lartë punën dhe kontributin e bashkatdhetarëve tonë për Republikën e Kosovës. Financimi i arsimit shqip viteve të 90-ta, shëndetësisë, ndihma e familjeve skamnore, përkrahja dhe pjesëmarrja në çlirimin e Kosovës, janë disa nga punët e mëdha të bëra nga LDK-ja e Zvicrës dhe degët tjera. U jemi përjetë mirënjohës. Mobilizimi i LDK-së në Kosovë dhe jashtë Kosovës, për zgjedhjet e reja nacionale dhe fitoren e LDK-së, si diçka e pashmangshme. Mërgimtarët tonë në përgjithësi dhe ata të Zvicrës në veçanti, kanë rol të madh dhe të rëndësishëm në fitoren e radhës të LDK-së”, ka thënë Beqiri.

Në takim foli edhe Muharrem Sfarqa anetar i Kryesisë së LDK-së, i cili falënderoj mërgimtarët, degën e LDK-së në Zvicër dhe apeloi në gjetjen e formave të bashkërendimit dhe mobilizimit tonë për fitoren e madhe të LDK-së.

Këtij takimi i parapriu mbledhja  e mbrëmshme në Bern me Kryesinë e nëndegës udhëhequr nga z. Enver Aliu Kryetar.

Pas takimit me strukturat, shënimin e festës të Darkës së Lamës e hapi z. Lulzim Maliqi Kryetar i nëndegës në Cyrih, e z. Hasan Spahia foli për rëndësinë e kësaj feste Dardano-Ilire, festë e traditës të cilën e filloi dhe promovoi në vitin 2002 Presidenti Historik Ibrahim Rugova.

Sofra e begatshme e Darkës së Lamës me ushqime tradicionale shqiptare edhe në ngjarjen e sotme.

Në fund u shfaq një program kulturo-artistik me këngë e valle shqipe.