Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së takon drejtorin e ATK-së

Në kuadër të takimeve të vazhdueshme me institucionet shtetërore për liberalizimin e tregut të energjisë, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka mbajtur dje një takim të rëndësishëm me drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve për të lehtësuar proceset e kërkesave ligjore që bizneset duhet të ndjekin për t’u futur në tregun e hapur të energjisë.
Po ashtu, u diskutua mbi procedurat dhe dokumentet që konsumatorët duhet të sigurojnë për të vazhduar furnizimin me energji në kuadër të shërbimit universal.
Ky takim është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të siguruar një kalim të qetë dhe të rregullt në tregun e hapur të energjisë, duke garantuar që të gjitha palët e përfshira të jenë të informuara dhe të përgatitura për ndryshimet që do të ndodhin.