Kryesuesi i Ekipit të Unitetit: Në Vjenë kemi pasë formula të qarta, jo dashuri për njëri-tjetrin

Kryesuesi i Ekipit të Unitetit në bisedimet e Vjenës, Fatmir Sejdiu, për Indeks-Intervistë ka kritikuar mos-unitetin e delegacionit kosovar në takimin e së Premtës në Washington.
Sipas ish-Presidentit Sejdiu, përçarja e skenës politike aktuale nuk ka filluar tash.
Mënyra jo e sinqertë e komunikimit ndërmjet partive politike e temat e ngritura që krijuan reagime të shumta si ajo e shkëmbimit të territoreve janë ndër arsyet kryesore të këtij mos-uniteti.
“Në fazën e tanishme është një mungesë e madhe për ne, kjo nuk është e ditës së sotme dhe e këtyre zhvillimeve të mëvonshme por është dhe më herët. Sepse janë ngritë tema e tema sikur ato që I biseduam më parë dhe ka pasë shumë reagime për to. Dhe tash e kemi një diçka që në Washington ka shkuar një ekip e njerëzve që, mund të jenë njerëz të mirë, unë nuk jap vlerësime për ta, por që përfaqësojnë tre subjekte politike që nuk janë shumica e partive politike që e bëjnë spektrin politik shqiptar” – ka deklaruar kryesuesi i Ekipit të Unitetit në bisedimet e Vjenës në vitin 2006.
Për Sejdiun, si pozita si opozita janë përgjegjëse për fatin e Kosovës.
“Dhe kemi dy parti që e kanë krijuar një bllok, as njëra as tjetra nuk kanë shkuar. Nuk është faji tek dita e sotme është e mëhershme, tek koncepti, tek mënyra e komunikimit me subjektet politike. Thirrja ime është se edhe pozita edhe opozita janë përgjegjëse për fatin e vendit” – ka deklaruar Ish-Presidenti.
Ai ka folur me mburrje për unitetin e skenës politike në kohën kur ai kryesonte bisedimet e Vjenës.
“E riforcoj atë që keni thënë ju. Ajo është quajt dhe Ekipi i Unitetit dhe realisht në koncepte themelore kemi qenë bashkë. Jo se kanë pas dashni për njëri-tjetrin. Por kanë qenë njerëz të pozitës, të opozitës e të shoqërisë civile, kemi shkuar me formula të qarta pa u tërheq, dhe këtu kemi fituar mirë. Nuk e kam pasë të lehtë edhe ta mbaj atë unitet. Por e kam mbajtë” – ka deklaruar Sejdiu.
Kujtojmë se bisedimet e Vjenës çuan në definimin e statusit final të Kosovës e cila shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008./Indeksonline/