Kryesuesi i KPK-së priti në takim përfaqësuesit e BB-së, të cilët prezantuan gjetjet preliminare të pyetësorit për performancën e sistemit prokurorial
Kryesuesi i Këshillit Prokruorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj ka pritur në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore të udhëhequr nga Klaus Decker. Sipas njoftimit thuhet se në takim u prezantuan gjetjet preliminare të pyetësorit për performancën e sistemit prokurorial.
“Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj, së bashku me anëtaren e KPK-së, znj. Ariana Shajkovci dhe udhëheqësen e Njësisë për Integrime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, znj. Margarita Gjocaj, ka pritur sot në takim ekipin e Bankës Botërore, të udhëhequr nga z. Klaus Decker, bashkudhëheqës i ekipit dhe Specialist i Lartë i Sektorit Publik, si dhe z. Ermal Vila, Specialist i Qeverisjes, të angazhuar në projektin “Mbështetja e hartimit të politikave të bazuara në dëshmi mbi performancën e sistemit të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor”. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i gjetjeve preliminare të pyetësorit mbi performancën e sistemit prokurorial, të gjetura këto, të cilat nxjerrin në dritë rezultate pozitive lidhur me efikasitetin, cilësinë dhe funksionalitetin institucional. Kryesuesi i KPK-së, z. Ardian Hajdaraj, vlerësoi lart bashkëpunimin me Bankën Botërore, duke theksuar se analizat e tilla paraqesin mekanizma të rëndësishëm për forcimin e transparencës, efikasitetit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial të Kosovës. Z. Hajdaraj falënderoi ekipin për punën profesionale dhe për kontributin e dhënë në avancimin e standardeve të drejtësisë, kurse përfaqësuesit e ekipit të Bankës Botërore nënvizuan rëndësinë e vlerësimit objektiv dhe të dhënave të standardizuara për përmirësimin e sektorit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u tha se në takim të jetë diskutuar për modalitetet e bashkëpunimit për të avancuar më tej performancën.
“Gjatë takimit u diskutuan edhe modalitetet e bashkëpunimit për të avancuar më tej performancën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve, si dhe u theksua rëndësia e qasjes së koordinuar dhe të bazuar në indikatorë të matshëm për të siguruar zhvillim dhe reforma të qëndrueshme në sistemin prokurorial. Në përfundim të takimit, palët u pajtuan që të intensifikohet bashkëpunimi në fazat e ardhshme të projektit, duke përfshirë shpërndarjen e gjetjeve, finalizimin e raportit teknik dhe analitik, si dhe koordinimin e veprimeve, me qëllim të sigurimit të një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, përfundon njoftimi për media.

