Kryetarët e komunave që udhëheq LDK-ja, s’do të jenë pjesë e listës për deputetë
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arriti ta përpilonte listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, derisa kjo pritej të ndodhte në takimin e sotëm të kryesisë.
Kjo listë sipas zëdhënësit të këtij subjekti politik, Besian Mustafa, do të dorëzohet nesër, ditë kjo që shënon edhe afatin e fundit nga KQZ-ja.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të ketë në listë asnjërin nga kryetarët e komunave që udhëheq ky subjekt politik.
Këtë për Indeksonline e konfirmoi, nënkryetari i partisë, Haki Rugova.
“Sipas marrëveshjes së kryesisë asnjë nga kryetarët e komunave nuk do të jetë kandidat për deputet, pasi që s’do të kishte kuptim, ngase ata në të kundërtën do të duhej të hiqnin dorë nga pozita që kanë, përfshirë dhe mua”.
Me tej Rugova foli edhe për ofertën që i kanë bërë ish-kryetarit të kësaj partie, njëherësh ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, për të hyrë në listën e kandidatëve për deputet.
“E kemi afruar Sejdiun, por ai e nuk e ka pranuar ofertën tonë për arsye personale”.
Ndryshe, pjesë e listës për kandidat nuk do të jenë as ish-ministri Lutfi Zharku dhe as deputeti Naser Osmani, të cilët kanë aktakuza./Indeksonline/