11:45 / E Premte, 17 Maj 2024 / k.v

Kryetarët Lladrovci, Muhaxheri dhe Muharremi takojnë kryetarin e Eppingenit në Gjermani

Kryetarët e tri komunave të Kosovës, Ramiz Lladrovci, Gazmend Muhaxheri dhe Bali Muharremaj  vizituan Bashkinë, pjesën e vjetër të qytetit dhe takuan kryebashkiakun e Eppingenit në Gjermani, Klaus Holaschke, me ç’rast, i dhanë mirënjohje për miqësinë dhe bashkëpunimin e deritashëm.

Pas kësaj dite të jashtëzakonshme, vijon vizita në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku na pret “Qytetari i nderit” i Drenasit, miku i Kosovës, Rainer Wieland, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i tij në rrjetin social:

Me homologët e mi nga Peja dhe Suhareka, Gazmendin dhe Baliun, kemi qenë të nderuar nga pritja e përzemërt e kryetarit të Bashkisë Eppingen, z. Klaus Holaschke.

Kjo bashki përbëhet nga gjashtë njësi me mbi 22 mijë banorë, shumë miqësore për shtetasit e huaj, me 220 shoqata e organizata aktive qytetare, ndërsa sipas të dhënave, për herë të parë emri Eppingen përmendet në vitin 985.

Në zyrën e kryebashkiakut Holaschke dhe gjatë shëtitjes nëpër qendrën e vjetër të qytetit, u njohëm me zhvillimin e kësaj bashkie, për pastërtinë dhe ndryshimet gjatë 20 vjetëve të fundit prej se z. Holaschke është në krye të bashkisë.

Nga z. Holaschke, u njohëm me mënyrat e vendimmarrjes, buxhetin, sfidat e pushtetit lokal të Eppingenit, si dhe festës kushtuar kopshteve me moton: “Vera, qyteti dhe ti”, me mbi 400 mijë vizitorë.

Me dhurata dhe mirënjohje nderuam kryetarin Holaschke, profesoreshën Döll dhe në veçanti, vëllezërit Shala, Shaqirin dhe Ramën, mikpritës të shkëlqyer rugovas, të cilët kanë mirëpritur nxënësit e shkollave tona, shembull të suksesit në biznes dhe urave të miqësisë mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Pas kësaj dite të jashtëzakonshme, vijon vizita në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku na pret “Qytetari i Nderit” i Drenasit, miku i Kosovës, z. Rainer Wieland.

Faleminderit kryetar Holaschke, vëllezër Shala dhe ish konsull në Baden-Württemberg, Imer Lladrovci!