22:01 / E Hënë, 27 Prill 2020 / indeksADMonline

Kryetarët për qytetarët, dëgjoni këshillat dhe respektoni ato!

E gjitha bota po vuan nga pandemia e Covid-19, derisa kjo ka arritur edhe në Kosovë, ku deri më tani kemi 763 persona të infektuar, 166 të shëruar dhe 22 të vdekur.

Qeveria e Kosovës ka marrë masa për të parandaluar përhapjen e saj, ku ato po respektohen nga të gjithë qytetarët.

Disa kryetarë të komunave, kanë bërë apele për qytetarët e Kosovës, që të vazhdojnë t’i respektojnë vendimet, në mënyrë që të luftohet më shpejt koronavirusi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri bëri thirrje që të qëndroni në shtëpi, sepse kështu mund të ruani vetën nga përballja e këtij infeksioni.

“Ju lus, rrini në shpi. Duke qëndru n’shpi jeni afër familjes suaj, evitoni mundësinë që në vendin e gabuar, në kohën e gabuar të përballeni me këtë infeksion, i cili ka pasoja jashtëzakonisht tragjike.

Rrini n’shpi, pernime, sepse e ruani shëndetin tuaj, të familjes suaj, të lagjes suaj, të qytetit tuaj”, ka thënë Haziri për Indeksonline.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se për çdo gjë që kanë nevojë qytetarët e Prishtinës, mund t’i drejtohen komunës.

“Për çdogjë që keni nevojë, komuna është këtu për juve, ne jemi pronë e juaja, prandaj mos hezitoni të na kontaktoni.

Asnjë qytetarë nuk do ta lëmë mbrapa, për shkak të ushqimit, higjienës apo çkado që ka nevojë, dhe asnjë fëmijë nuk do ta lëmë mbrapa për shkak se nuk kanë kushte që të kenë pajisje për ta përcjellë mësmin online”, shtoi Ahmeti.

Ndërsa, kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, komuna e të cilit deri më tani është më e prekura nga Covid-19 bëri thirrje që për të shënuar fitoren e plotë të virusit Covid-19, duhet të qëndroni në shtëpi.

“Për të shënuar këtë fitore pa diskutim që na duhet bashkëveprimi dhe bashkëpunimi që fitorja të jetë e plotë dhe përballja të jetë e suksesshme, dhe që të jetë kështu, ju duhet të qëndroni në shtëpi, ju duhet të qëndroni me familjet tuaja”, ishte fjala e kryetarit Aliu.

Ragip Begaj, kryetari i Malishevës, tha që masat e marra nga ekspertët e shëndetësisë, i kanë bërë mirë përmirësimit të situatës në Malishevë, shkruan Indeksonline.

“Të gjitha këto sugjerime që na ka dhënë niveli qendror dhe ekspertët e lamisë, dhe ekspertët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ata në Klinikën Infektive besoj edhe që masat që i kemi marrë ne si Kuvend Komunal i kanë bërë mirë kësaj situate”, kështu tha Ragip Begaj.

E kryetari i Vitisë, komunës së parë të prekur nga Covid-19, Sokol Haliti tha se po mundohen që ta menaxhojnë sa më mirë këtë situatë.

“Fatmirësisht, falë bashkëpunimit ndërinstitucional të donatorëve dhe njerzëve të vullnetit të mirë, por edhe përgjegjshmërisë të qytetarëve tonë, ne po mundohemi që këtë situatë ta menaxhojmë sa më mire”, shtoi Haliti.

Bekim Jashari, kryetari i komunës së Skenderajt, bëri apel që qytetarët të vazhdojnë me këtë diciplinë, dhe ti respektojnë rregullat dhe vendimet.

“Ne do vazhdojmë që të qëndrojmë pranë juve, të kujdesemi për të gjitha nevojat që ju keni, qoftë për pako ushqimore, qoftë për gjëra tjera”, tha Jashari./Indeksonline/