75 Mall Live Search
15:29 / E Premte, 31 Tetor 2025 / S Z

Kryetari Basha: Heroizmi i policëve të rënë është vazhdimësi e lavdisë sonë kombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë në aktivitetin që u mbajt sot në Pejë, në nderim të policëve të rënë në krye të detyrës, ngjarje tradicionale kjo e organizuar nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Në fjalën e tij kryetari Dimal Basha shprehu mirënjohjen më të thellë për familjarët e policëve të rënë, të cilët, siç tha ai, mbeten shembulli më fisnik i sakrificës dhe dashurisë për atdheun. Heroizmi i tyre, shtoi kryetari Basha, është vazhdimësi e lavdisë sonë kombëtare, që përcillet nga brezat që trasuan rrugën drejt lirisë e deri tek zyrtarët tanë policorë që sot mbrojnë rendin kushtetues të shtetit tonë.

Kryetari i Kuvendit tha se Policia e Kosovës është ndër institucionet më të besuara dhe më të respektuara në vend, fakt ky i dëshmuar edhe nga raportet ndërkombëtare, ku Kosova renditet si vendi më i sigurt në Evropë, dhe i treti në botë.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës shpreh respektin dhe mirënjohjen më të lartë për të gjithë zyrtarët policorë që çdo ditë qëndrojnë në vijën e parë të mbrojtjes së rendit, ligjit dhe sigurisë publike. Kujtimi për policët tanë heroikë do të mbetet përherë i gjallë në zemrat tona. Sakrifica dhe përkushtimi i tyre do të frymëzojë çdo brez që vjen, për ta dashur atdheun tonë me të njëjtin ideal, me të njëjtin guxim dhe me të njëjtin shpirt sakrifice”, theksoi kryetari Basha.