75 Mall Live Search
12:20 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Kryetari i Apelit përplaset me protestuesit: S’ka pasur fakte se Tasiqi ka kryer vrasje

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, para banorëve të Krushës së Madhe dhe të Vogël, që kanë protestuar para kësaj gjykate, ka thënë se nuk ka pasur prova që Darko Tasiqi ka qenë vrasës.

Ai ka ftuar familjarët që të hyjnë brenda për të biseduar rreth vendimit të Apelit, por ata s’kanë pranuar.

“Nëse jeni të interesuar për të biseduar, ejani një grup deri në 10 vjet ju jap sqarimet e nevojshme” .

Por protestuasit i kërkuan që të bisedonin jashtë. “Jo brenda. Me popull bisedo jashtë. A e ke ftohtë a?”.

“Jo unë s’e kam ftohtë hiç, për atë dola jashtë. Nëse doni në këtë mënyrë me bisedue me mue, atëherë unë vetëm ju përshëndes”.

“Qetash brenda një ore ka me u publikue aktgjykimi. Asnjë gjë s’ka me qenë jotransparente”.

Arsim Shehu tha se në protestën e radhës do ta djegin gjykatën, pasi nuk e njohin.

“Ishalla shihemi në protestat e radhës e ta kallim krejt këtë gjykatë. Kjo gjykatë nuk vlen për Krushën e Vogël. Gjaku i qatyne të vrarëve i mbuloftë këta”. 

Gjykata e Apelit ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i dënuar për krime lufte, nga 22 vjet në 11.

Në një deklaratë për media, Gjykata e Apelit thotë se e ka miratuar pjesshëm ankesën e mbrojtësve të akuzuarit Darko Tasiq.

Më 22 qershor të këtij viti, Tasiqi është shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Prizrenit, Tasiqi ishte shpallur fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ata dhe duke i hedhur në lumin Drin.